Raporti i raundit të tetë të testimit PISA i vitit 2022 doli dhe paraqiti të dhëna për testimin e 700,000 nxënësve 15-vjeçarë në 81 vende të botës, duke zbuluar një rënie të paprecedentë të performancës mesatare të tyre dhe konkretisht me një rënie prej 10 pikësh në aftësitë e të lexuarit dhe gati me 15 pikë në aftësitë matematikore në krahasim me testimin e vitit 2018. Konstatohet se rënia në performancën e matematikës është tre herë më e madhe se çdo ndryshim i mëparshëm i njëpasnjëshëm, duke prekur veçanërisht vende si Gjermania, Islanda, Holanda, Norvegjia dhe Polonia, duke ia atribuar problemin vetëm pjesërisht pandemisë COVID-19, pasi rënia e rezultateve në lexim, shkencë dhe matematikë ishte evidente dhe përpara vitit 2018.  

Pavarësisht sfidave, disa vende si: Kamboxhia, Kolumbia, Kosta Rika, Indonezia, Maroku, Paraguai dhe Rumania kanë bërë përparim të rëndësishëm pozitiv për fëmijët e tyre 15-vjeçarë që shkojnë në arsimin e mesëm të lartë, kurse Singapori dhe pesë sisteme arsimore të Azisë Lindore dolën më mirë në matematikë, me Singaporin kryesues, ndërsa Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Hong Kongu, Irlanda, Japonia, Korea, Letonia dhe Makao demonstrojnë aftësi të mira në matematikë, lexim dhe shkencë.  

Raporti identifikon qartë se ndikimi i teknologjisë në arsim është dinamik nga nxënësit 15-vjeçar, me përdorim të moderuar të pajisjeve digjitale të shoqëruara me performancë më të lartë, por varet nga mbështetja dhe jo shpërqendrimi ndaj të nxënit.

Konstatohet se nxënësit që shpenzojnë deri në një orë në ditë në pajisjet digjitale për kohën e lirë shënojnë më shumë rezultate pozitive në matematikë, krahasuar me ata që shpenzojnë pesë deri në shtatë orë në ditë me to. Madje raporti identifikon dhe shqetësimet e lidhura me përdorimin e teknologjisë që janë të përhapura në të gjitha vendet pjesëmarrësë në testim, ku 45% e nxënësve ndjehen të shqetësuar pa telefona dhe 65% shpërqendrohen nga pajisjet digjitale në disa orë të matematikës. Evidentohet se nxënësit e shpërqendruar nga bashkëmoshatarët që përdorin pajisje digjitale kanë bërë që të ketë rezultate me 15 pikë më të ulta në testet e matematikës së PISA-s, gjë që është ekuivalente me tre të katërtat e arsimimit të një viti shkollor.

Sekretari i Përgjithshëm i PISA-s Mathias Cormann theksoi rolin e PISA-s si një katalizator për reforma arsimore dhe u bën thirrje politikbërësve të arsimit të të gjitha vendeve për të përshtatur dhe ndjekur reformat arsimore për një të ardhme më të mirë për të rinjtë e vendeve të tyre.  

Po ku ishte Kosova në këtë raport? Keqardhje! Në fund! I pallogaritshëm suksesi i fëmijëve tanë 15-vjeçarë!

Jam i bindur se nuk është problem i vetëm viteve të fundit, por i më shumë se një dekade ku përfshihen dhe janë përgjegjës të gjithë akterët politik të Kosovës!

Mos e ka problemin modeli i kurrikulës me kompetenca, e trumbetuar me shumë sukses nga politikbërësit arsimorë? Mos ishte një model i huazur apo eksperiment që zhvillohet në shkollat tona dhe nuk ka lidhje me realitetin tonë! Ndryshimet e hërëpashershme të kurrikulës vetëm sa e kanë ngatërruar shkollën dhe mësimdhënësit! Mos është problemi te metodologjia e mësimdhënies dhe të të nxënit ose tek formimi në universitete i mësimdhënësve apo te zhvillimi profesional gjatë karreirës! Shumë mësimdhënës ankohen se merremi shumë me letra! Disa e quajnë kurrikula e letrave!! A nuk duhet që mësimdhënësit të merren së pari me proceset e të nxënit të fëmijëve se sa me shumë dokumentacion të shkruar? E ka analizuar dikush nga vendimmarërsit këtë situatë? Po testet e klasave të nënta si hartohen? A marrin ato në konsideratë që të vlerësojnë kompetencat, pra, përdorimin e dijes në praktikë, apo vijojnë përsëri me format e vjetëruara, me vlerësim vetëm të njohurive, e cila bie ndesh me vlerësimin e aftësive të testimit PISA! Nuk po themi këtu dhe rastet e kopjimit në provime kombëtare!! 

Po tekstet shkollore apo udhëzuesit e kurrikulës, a ofrojnë raste dhe veprimtari që ndërtojnë dijet dhe mundësojnë zbatimin e tyre në praktikë, apo kemi shpikur madje dhe tekste për sporte, për arte, të cilat janë kryekëput aftësi që duhen krijuar praktikisht në klasa me anë të ndërveprimit mësimdhënës-fëmijë! 

A kemi ndonjë të dhënë të besueshme se kjo moshë 15-vjeçare, digjitale si vetë jeta e tyre, sa kohë rrinë me telefona/ kompjutera/ laptopa/ I-pad, etj? Di kush ta thotë se sa kohë rrinë 15-vjeçarët kosovarë me to? Të dhënat e raportit e përmendin si problem përdorimin e tyre me orë të zgjatura nga fëmijët!

Po, drejtorët e shkollave a kanë përgjegjësi për këtë cilësi të nxënësve të tyre? A vëzhgojnë, a mbikëqyrin dhe vlerësojnë performancën e nxënësve? Studimet prestigjioze thonë se një drejtim i efektshëm i shkollës sjell performancë të mirë!

Kosova mendojmë se ka njerëz të zotë, ka plot institucione qendrore dhe lokale të arsimit që duhet të mendojnë mirë për këtë situatë! Fëmijët tanë shkëlqejnë në botë në shumë fusha, por me këtë gjendje ne po ua presim hovin e tyre për të nxënë!

Nga: Robert Gjedia dhe Bujar Krasniqi

BEINT – Organizata për edukimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve dhe trajnimin/ certifikimin e drejtuesve të arsimit parauniversitar në Kosovë.

Prishtinë,

06/12/2023