Më datë 09 Korrik 2023 përfundoi programi 7 mujor i certifikimit të Drejtuesve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar-BEINT Shkolla e Drejtorëve, për vitin mësimor 2022-2023.
Programi i licencuar nga MASHT u zhvillua nga BEINT -Prishtinë dhe është pari në llojin e tij në Kosovë. Ai u zhvillua me brezin e parë të mësimdhënësve që dëshirojnë të bëhen drejtues të IAP-ve nga Komuna e Fushë-Kosovës dhe ajo e Malishevës.
Në këtë program morën pjesë 38 mësimdhënës, kryesisht mosha të reja, të cilët patën mundësi të zhvillojnë kompetencat e duhura, profesionale të drejtimit dhe menaxhimit të shkollës konform standardeve zyrtare të Kosovës për drejtuesit e shkollës, lidhur me tematika të tilla, si: Vizoni i shkollës, planet zhvillimore të saj, mbledhja dhe përpunimi i të dhënave në shkollë, vëzhgimi dhe vlerësimi i proceseve të mësimdhënies dhe të nxënit, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe financat, zbatimi i ligjshmërisë në shkollë, por dhe çështje që lidhen me partneritetet dhezhvillimin profesional të stafeve mësimore të shkollës.
Trajnimi u karakterizua nga ndërveprimi aktiv trajner-pjesëmarrës, nga përdorimi i rasteve studimore dhe situatave që lidhen me jetën reale të shkollës. Për secilin modul në fund u realizua dhe një minitest me pyetje me alternativa dhe raste studimore. Nga ana tjetër pjesëmarrësit zhvilluan përgjatë një periudhe 4-mujore dhe praktikë profesionale me drejtuesit mentor dhe trajnerët individual të tyre në shkolla, ku zbatuan dijet e ndërtuara dhe u përballën me kontekstet reale të zbatimit të drejtimit me jetën reale në shkollë.
Si trajnerë dhe mentorë të këtij programi të organizuar nga BEINT shërbyen personalitete arsimore të fushës së drejtimit të shkollës, nga më të mirët, nga Shqipëria dhe Kosova që bashkëpunuan ngushtë më pjesëmarrësit gjatë gjithë kësaj periudhe 7-mujore.
BEINT dhe stafi i trajnerëve të saj i uron suksese këtij brezi të parë në prezantimin e projekteve shkollore që do të prezantojnë me datë 9 shtator 2023, si dhe në testimin final që do të zhvillohet me datë 10 shtator në mjediset e BEINT, veprimtari që kurorëzojnë përfundimin dhe fitimin e certifikatës me 180 kredive nga secili/a pjesëmarrës/e.
BEINT si organizatë ofruese e këtij programi trajnimi është besimplotë që këta mësimdhënës janë më së miri të formuar profesionalisht dhe të motivuar për të dhënë kontributin e tyre si drejtues të efektshëm të institucioneve arsimore, parauniversitare në Kosovë. Çelësi i sigurimit të cilësisë në shkollë së pari është puna e drejtuesve e saj!