Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit (MAShTI), ka akredituar BEINT-in edhe me dy programe trajnimi/ certifikimi për drejtues shkollave dhe mësimdhënës, si në vijim:
– Certifikimit për Drejtues të Institucioneve Arsimore në Arsimin Parauniversitar
– Certifikimi për Vlerësues të Përformancës të IAAP dhe Mësimdhënësve
Studimet dhe rekomandimet e dhjetë vjeçarit të fundit të OECD-së, raportet e vlerësimit për arsimin të Komisionit të Edukimit të BE-së, por dhe raportet studimore të disa institucioneve ndërkombëtare si: UNESKO, UNICEF, sugjerojnë dhe rekomandojnë se çelësi i suksesit të cilësisë në arsimin para universitar mbetet padyshim shërbimi që ofron mësimdhënësi, por tashmë po konsiderohet me forcë që një shkollë ka arritje cilësore në të nxënit e fëmijëve, nëse ka një drejtor me kompetenca të domosdoshme, profesionale për të drejtuar, menaxhuar dhe administruar institucionin arsimor me efiçensë dhe efektivitet.
Një drejtor i tillë, i formuar me aftësitë e duhura, sipas analizave të kësaj dekade, ka bërë që shumë vende si: Estonia, Finlanda, Gjermania, Singapori, Irlanda, Anglia, Sllovenia e të tjera, të kenë rezultate dhe renditje të mira në testin ndërkombëtar “PISA”.
Kjo për shkak se në këto vende reformat arsimore kanë vënë në fokus drejtorin e shkollës. Sado të mirë të jenë mësimdhënësit në shërbimin që ofrojnë, pa një drejtor motivues dhe mbështetës, arritjet e nxënësve nuk ruajnë një vijimësi.
BEINT ofron 19 programe të akredituara nga MASHTI që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin profesional për Drejtor të DKA-ve, Drejtor dhe zv/Drejtor të shkollave, Koordinator të Shkollave, Inspektor të Arsimit dhe Mësimdhënësve.